Në Serbi nuk do të ketë asnjë tifoz shqiptar në stadium për përballjen e Kombëtares kuqezi, si rezultat i një marrëveshjeje mes dy federatave, njësoj si në ndeshjen e zhvilluar në Tiranë. Por mungesa në tribuna nuk do të thotë mungesë mbështetjeje. “Tifozët Kuq e Zi”, grupimi legjendar që prej 22 vitesh ndjek Kombëtaren kudo, kanë paralajmëruar një organizim madhështor në kryeqytet.
Të shtunën, në ditën e ndeshjes ndaj Serbisë në Leskovac, ata do të mblidhen në “Sheshin Italia”, pranë stadiumit “Air Albania”, për të ndjekur sfidën në një ekran gjigant që do të vendoset enkas për këtë rast.
“Ashtu si në vitin 2014, të shtunën mblidhemi te ‘Sheshi Italia’ për të ndjekur së bashku ndeshjen kundër shkijeve. Le të bashkohemi, të këndojmë me gjithë zemër dhe në fund të festojmë fitoren,” – thuhet në njoftimin e TKZ-së.
Megjithatë, ky edicion kualifikues nuk ka qenë i lehtë për grupimin më të zjarrtë të tifozëve shqiptarë. Pas më shumë se dy dekadash, FSHF nuk u ka rezervuar më tribunën tradicionale pas portës, duke hedhur biletat në shitje të lirë. Kjo ka bërë që “Tifozët Kuq e Zi” të mos kenë më mundësinë të qëndrojnë të bashkuar në stadium, duke sjellë një atmosferë më të zbehtë në ndeshjet e Kombëtares.
Sipas TKZ-së, ky veprim është një hakmarrje e federatës, pas kundërshtimit të tyre ndaj organizimit të Kampionatit Evropian U-21 mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Edhe pse të ndarë fizikisht nga skuadra, “Tifozët Kuq e Zi” pritet të krijojnë në Tiranë një atmosferë të zjarrtë, që do të ndjehet deri në Leskovac.