Ish-kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, ka propozuar që gjyqtarëve dhe prokurorëve t’u jepen armë personale për vetëmbrojtje, duke theksuar se arma “të bën trim”.
“Të paktën t’u japim ndonjë armë, siç e kemi pasur dikur në kohë. Arma të bën trim, edhe ty si gjyqtar e prokuror. Deri në kohën e Saimir Tahirit ka qenë ligji që gjyqtarët, prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore e kishin organikë armën”, tha ai.
Në një intervistë televizive, Balla kujtoi se më parë gjyqtarët, prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore kanë pasur të drejtën të mbajnë armë në organikë, duke krahasuar këtë me praktikat e oficerëve amerikanë dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri, që janë të pajisur me armë edhe jashtë orarit të punës.
“Ke oficerët e policisë gjyqësore, si mund t’i çosh në vendngjarje? Pastaj, amerikanët budallenj janë? Edhe BKH-ja, femra e meshkuj janë të pajisur me armë. Është njësoj si FBI-ja”, tha ai.