María Corina Machado shpallet fituese e Çmimit Nobel për Paqen 2025

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 10.10.2025, 11:52

María Corina Machado, figura më e njohur e opozitës venezueliane, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqen për vitin 2025.

Komiteti Norvegjez i Nobelit e vlerësoi Machado-n “për përkushtimin e saj të palodhur në mbrojtjen e të drejtave demokratike të popullit venezuelian dhe për përpjekjet e saj të vazhdueshme për një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci”.

Në njoftimin zyrtar, Komiteti theksoi rolin e jashtëzakonshëm të Machado-s në mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të njeriut në një nga vendet më të goditura nga autoritarizmi në Amerikën Latine.

Pavarësisht kërcënimeve, ndjekjeve dhe rrezikut të përhershëm për jetën e saj, Machado ka zgjedhur të mos largohet nga vendi, duke u kthyer në një simbol të rezistencës, guximit dhe shpresës për miliona venezuelianë që kërkojnë ndryshim. Ajo ndodhet aktualisht në arrati brenda territorit të Venezuelës, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar që u cilësuan të manipuluara dhe që e mbajtën Nicolás Maduron në pushtet.

“Kur autoritarët marrin kontrollin, është jetike të njihen ata që ngrihen dhe rezistojnë. Demokracia mbijeton falë atyre që nuk heshtin, që rrezikojnë gjithçka për lirinë dhe që na kujtojnë se ajo nuk është e dhënë përgjithmonë por duhet mbrojtur çdo ditë, me fjalë dhe me guxim”, u shpreh Komiteti i Nobelit në deklaratën e tij.

Fitorja e Machado-s në këtë garë prestigjioze vjen në një kohë kur skena ndërkombëtare ka parë përpjekje të shumta për t’i dhënë fund autoritarizmit në Venezuelë, si dhe ndërhyrje politike nga aktorë globalë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit