‘Blindohet’ Serbia, kuqezinjtë nisen drejt Nishit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 10.10.2025, 11:35

Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht misionin e radhës drejt “Botërorit 2026”. Nga aeroporti “Nënë Tereza” i Rinasit, kuqezinjtë janë nisur me fluturim charter drejt Nishit, për të vijuar më pas drejt destinacionit final qytetit të Leskovacit, ku të shtunën në mbrëmje do të përballen me Serbinë, në stadiumin “Duboçica”.

Pas mbërritjes në aeroportin “Kostandini i Madh”, ekipi dhe delegacioni shqiptar do akomodohen në hotel, për të vijuar me disa orë pushimi përpara stërvitjes zyrtare të pasdites. Në orën 16:30, trajneri Sylvinho dhe kapiteni Gjimshiti ose alternativisht Hysaj, i vetmi “veteran” nga ndeshja e tensionuar e Beogradit në 2014 do të dalin para mediave në konferencën për shtyp. Më pas, në 17:30, skuadra do zbresë në fushën e “Duboçicës” për seancën e fundit përgatitore.

Masat e sigurisë janë të jashtëzakonshme. Që nga momenti i mbërritjes, kuqezinjtë do shoqërohen nga forca të shumta policie, ndërsa gjatë gjithë qëndrimit në Serbi do jenë nën mbikëqyrje të plotë. Edhe të shtunën paradite, nuk parashikohet asnjë dalje nga hoteli. Frika për përsëritjen e incidenteve të vitit 2014 ka bërë që ndeshja të cilësohet nga FIFA me “rrezikshmëri të lartë”, duke dërguar dy oficerë sigurie ndërkombëtarë.

Për të shmangur tensionet, Federata Serbe e Futbollit nuk ka nxjerrë asnjë biletë në shitje: 6500 spektatorët e pranishëm do jenë vetëm me ftesa, kryesisht futbollistë të akademive vendase. Serbia, për më tepër, do e zhvillojë sfidën me reduktim të 20% të kapacitetit të stadiumit, ndërsa sipas marrëveshjes mes dy federatave nuk do ketë tifozë kundërshtarë në tribuna.

Në aspektin sportiv, kuqezinjtë mbërrijnë në këtë duel me moral të lartë, pas pesë ndeshjeve të para në Grupin K, ku mbajnë vendin e dytë me 8 pikë. Në krye është Anglia me 15, ndërsa Serbia ndjek me 7 pikë dhe një ndeshje më pak.

Tani gjithçka është gati. Kuqezinjtë do kërkojnë të shkruajnë një faqe të re krenarie në Leskovac, aty ku futbolli përzihet me historinë dhe emocionet janë gjithmonë më të forta se rezultati.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit