Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania hedh dritë mbi pakënaqësitë dhe dyshimet e thella të infermierëve në lidhje me funksionimin e platformës “Infermier për Shqipërinë”. Sipas denoncuesit, lista paraprake me emrat e fituesve, e cila duhej të publikohej më datë 6 tetor 2025, nuk është afishuar ende, edhe pse kanë kaluar disa ditë nga afati i përcaktuar. Mungesa e transparencës ka shkaktuar shqetësim të madh tek aplikantët, të cilët presin prej kohësh rezultatin e procesit të përzgjedhjes.
Infermierët shprehen se procesi i përllogaritjes së pikëve lë shumë për të dëshiruar, duke ngritur dyshime për favorizime dhe ndërhyrje të jashtligjshme. Sipas tyre, po favorizohen individë që kanë mbështetje apo lidhje personale, ndërsa kandidatët që kanë konkurruar me ndershmëri e përkushtim po penalizohen padrejtësisht. Ato që e shtojnë më tej indinjatën, janë mungesa e përgjigjeve nga institucionet përgjegjëse, përfshirë DROSHKSH, e cila nuk është kthyer asnjë reagim ndaj kërkesave për sqarim.
Denoncimi i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania:
Përshëndetje JOQ, platforma "Infermier për Shqipërinë" është duke u tallur me ne infermierët... Në njoftim thuhet se lista paraprake me emrat e fituesve duhej të publikohej në datë 6.10.2025, sot datë 9.10.2025 ende nuk kemi listë të afishuar... Lë shumë për të dëshiruar edhe mënyra e përllogaritjes së pikëve, ku bëjnë burokraci të paparë, duke ngritur sa më shumë pikë atij që e ka paracaktuar të zërë vendin me mik, edhe duke ulur pikët dikujt që e ka konkurrimin me shumë mundim e ndershmëri... Dhe kur dërgohen email-e drejtuar DROSHKSH e kërkojmë sqarim, nuk kthejnë përgjigje nga DROSHKSH... Sepse ky vend drejtohet nga kalbësira të sistemit që ata pak infermierë që janë ende këtu duan t’i largojnë për të uzurpuar postet analfabetët me miq dhe lekë shumë. E keni të faktuar thirrjen me datën e përcaktuar por nuk është bërë asnjë shpallje e listës me pikët e dosjes. Në njoftim thuhet datë 6.10.2025, mund t’ju dërgoj edhe link-un e platformës "Infermier për Shqipërinë" që s’ka asnjë publikim liste dosjeje. Këto janë listat ekzistuese emërore, portali i vjetër. Lista e re me pikët e dosjeve që duhej shpallur nuk është publikuar ende. Urdhëroni me fakte që të gjithë po presim listën me pikët e dosjes dhe s’ka asnjë publikim deri tani.
Denoncuesit theksojnë se posedojnë të gjithë dokumentacionin përkatës, përfshirë thirrjen zyrtare ku specifikohet data e publikimit të listës, si dhe janë të gatshëm të ndajnë edhe linkun e platformës ku mungon publikimi i pikëve të dosjeve. Ata i bëjnë thirrje institucioneve që të reagojnë menjëherë dhe të garantojnë një proces transparent dhe të drejtë, ndërkohë që situata po rëndohet dhe mosbesimi ndaj sistemit është në rritje.

