Kalvari i pafundëm i shqiptarëve, a do të sjellë Besforti drejtësinë që ka munguar?

Shkruar nga: E Merlikaj | Publikuar më: 10.10.2025, 05:59

Vrasja e një gjyqtari në mes të ditës nuk është thjesht një krim. Është një akt që godet në zemër vetë shtetin, sistemin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve tek ligji. Është një pasqyrë e errët e një realiteti ku njeriu nuk i drejtohet më drejtësisë, por armës.

Kjo ngjarje tregon se kriza nuk është vetëm morale, por edhe institucionale. Kur ligji nuk mbron, kur drejtësia vonon, kur konflikti nuk zgjidhet me fjalë, atëherë ndodh ajo që po shohim çdo ditë: qytetarët marrin drejtësinë në duart e tyre. Dhe kur ndodh kjo, shteti dështon.

Në Shqipëri, prona dhe drejtësia janë kthyer në shkak për gjak. Çdo ditë dëgjojmë për kërcënime, për frikë, për njerëz që rrezikojnë jetën për një copë tokë. Dhe kur edhe një gjyqtar vritet, çfarë mund të presë një qytetar i zakonshëm?

Drejtësia që vonon, është drejtësi që mohon. Sepse pas çdo dosjeje të harruar, pas çdo vendimi të vonuar, mund të fshihet një tragjedi e re.

Sa jetë të tjera duhen humbur që sistemi të reagojë? Sa gjak duhet derdhur që të kuptohet se ligji nuk është një armë për t’u përdorur, por një mburojë për t’u respektuar?

Nëse kjo ngjarje nuk bëhet pikë kthese, atëherë ajo do të mbetet një statistikë më shumë në një vend ku jeta shpesh vlen më pak se prona.

Pyetja që duhet bërë sot është e qartë:

A do të jetë kjo vrasje momenti kur shteti zgjohet, apo do të vazhdojmë me të njëjtin cikël të dhunës, padrejtësisë dhe heshtjes?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit