“Bandat shqiptare po përdorin taktikat e mafies meksikane në Evropë dhe Britani: Djegie për së gjalli e heqje thonjsh”

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 09.10.2025, 22:54

Tabloidi britanik “The Sun” i ka kushtuar një artikull të gjatë mënyrës se si grupet kriminale shqiptare në Evropë dhe Britani po adoptojnë metodat e dhunshme të kartelëve meksikanë për eliminimin e kundërshtarëve. Artikulli mban titullin tronditës “Shock and Horror” (Tronditje dhe Tmerr).

Sipas “The Sun”, kriminelët shqiptarë po “trajnohen në torturë” nga vrasës me pagesë meksikanë, ndërsa gjurmët e gjakut po mbulojnë rrugët e Britanisë. Tabloidi e bazon analizën e tij në rastin e shqiptarit Bekim Halilaj, 29 vjeç, trupi i të cilit u gjet i varur në një tabelë rrugore në Bruksel në fund të shtatorit.

Autoritetet belge dyshojnë se Halilaj është vrarë nga punëdhënësit e tij pas humbjes së një ngarkese droge. Ai ishte dënuar në Britani në vitin 2017 me 7 vjet burg për trafikim të kokainës, ndërsa pas deportimit ishte vendosur në Belgjikë.

Ekspertët e sigurisë, të cituar nga tabloidi, thonë se kjo vrasje tregon për një rritje alarmante të dhunës mes bandave shqiptare, të cilat po përdorin taktikat e kartelëve meksikanë — përfshirë varjen e viktimave, prerjen e kokave dhe torturat brutale.

Profesori i kriminologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Ervin Karamuço, deklaron për “The Sun” se vrasës me pagesë nga Meksika janë bërë “konsulentë” të rrjeteve kriminale shqiptare.

“Shkollat e torturës së kartelëve janë kthyer në modele për grupet shqiptare. Këto metoda të sofistikuara përdoren për të vendosur frikë, autoritet dhe kontroll mbi tregtinë e drogës,” – është shprehur Karamuço.

“The Sun” sjell disa raste të tjera që ilustrojnë brutalitetin e këtyre bandave ku viktimat janë torturuar, djegur të gjallë në makina, u janë hequr thonjtë, janë zhdukur pa gjurmë. Rasti i një shqiptari të rrëmbyer në Londrën Lindore në vitin 2022, i cili u mbajt peng për katër ditë dhe u torturua për një borxh të lidhur me shtëpitë e kanabisit, është vetëm një nga shumë që tregon brutalitetin në rritje të këtyre grupeve.

Në një rast tjetër, trupi i Agim Hoxhës, një trafikant shqiptar droge, u gjet i djegur në një makinë Mercedes në Southampton në vitin 2012. Vrasësi i tij, Arben Lleshi, u dënua me 32 vite burg dhe më pas u transferua në Shqipëri, ku në vitin 2023 u qëllua për vdekje brenda burgut të Peqinit – një tjetër “mesazh” mafioz i koduar.

Në artikull përmenden edhe zhdukje të pazgjidhura, si ajo e britanikut Aron Kato në vitin 2019, që dyshohet se lidhet me konfliktet e bandave shqiptare për tregun e kanabisit në Londër.

Tabloidi britanik paralajmëron se bashkëpunimi mes grupeve kriminale shqiptare dhe kartelëve të Amerikës Latine po i kthen disa qytete evropiane në skena të “terrorizmit të krimit të organizuar”, ku dhuna dhe tortura përdoren si mjete komunikimi mes bandave rivale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit