Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën një 51-vjeçari mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor “Qafë Mali–Fierzë”. Viktima është identifikuar si Prendush Kola, punonjës i mirëmbajtjes së rrugës.
Kola po kthehej drejt banesës kur, në vendin e quajtur Shkëmbi i Dardhës, ka humbur kontrollin e automjetit, i cili ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një humnerë.
Banorët e zonës, pasi kanë dëgjuar zhurmën e rënies së makinës, kanë nisur menjëherë kërkimet në terren dhe rreth orës 22:00 kanë arritur ta gjejnë 51-vjeçarin ende me shenja jete. Sipas burimeve, në momentin e gjetjes ai u ka kërkuar falje banorëve që i kishte shqetësuar në atë orë të vonë.
Pavarësisht ndihmës së menjëhershme të banorëve, Prendush Kola ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda që kishte pësuar.
Në operacionin për nxjerrjen e trupit të pajetë u përfshinë edhe forcat zjarrfikëse të Fushë Arrëzit, të cilat arritën ta nxirrnin trupin rreth orës 01:00 të mëngjesit.