Burg për vrasësin e gjyqtarit Kalaja, zbardhet dëshmia e plotë e Elvis Shkambit: “Nuk e planifikova, isha i tronditur psikologjikisht”

Shkruar nga: E Merlikaj | Publikuar më: 09.10.2025, 21:45

Në një seancë me dyer të mbyllura, gjyqtarja Marinela Osmani dha masën e sigurisë “arrest me burg” për tre personat e arrestuar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja. Për shkak të klimës së tensionuar, ambientet e gjykatës u rrethuan nga forca të shumta policie, ndërsa jashtë qëndronin dhjetëra familjarë të Elvis dhe Gjon Shkambit.

Elvis Shkambi: “I kërkoj falje familjes së gjyqtarit, nuk e planifikova vrasjen”

Autori i dyshuar, Elvis Shkambi, u shfaq i penduar në kafazin e xhamtë dhe nisi dëshminë e tij me një ndjesë publike për familjen e viktimës. Ai pranoi se kishte qëlluar me tre plumba pistolete, por mohoi se kishte planifikuar vrasjen.

“Ndihem thellësisht i penduar. I kërkoj falje familjarëve të gjyqtarit Kalaja. Nuk e kisha planifikuar vrasjen; ndodhi në kushtet e tronditjes psikike nga kalvari i gjatë i gjyqeve për pronën tonë në Shkodër,” – u shpreh Shkambi.

Ai shtoi se kishte mbajtur armë edhe më herët për shkak të punës së tij në “disa institucione sigurie”, duke pranuar se arma nuk ishte me leje.

Gjon Shkambi: “Nuk e dija që nipi do qëllonte”

Në të njëjtën linjë mbrojtjeje ishte edhe Gjon Shkambi, i cili akuzohet si nxitës i krimit. Ai mohoi dijeni për veprimet e nipit dhe u shpreh i penduar për ngjarjen tragjike.

“Nuk kam pasur dijeni që nipi do të qëllonte. Jam shprehur i revoltuar për çështjen e pronës, por nuk e kam menduar kurrë vrasjen. Më vjen keq për gjyqtarin dhe i kërkoj falje familjes së tij,” – tha ai gjatë seancës.

Avokati: “Familja Shkambi ishte e zhytur në borxhe nga gjyqet e pafundme”

Avokati i të pandehurve, Kujtim Ibro, theksoi se familja Shkambi kishte kaluar një periudhë të gjatë vështirësish ekonomike e psikologjike për shkak të proceseve të shumta gjyqësore për pronat.

“Ka vuajtur për vite me radhë nëpër gjyqe civile, ka hyrë në shumë borxhe dhe vendimi i fundit që e rikthente çështjen nga fillimi ka qenë tronditës për ta,” – deklaroi Ibro.

Roja i sigurisë: “Nuk reagova, isha i sëmurë”

Në të njëjtën seancë u njoh me masën e sigurisë edhe Banush Koxhaj, roja e gjykatës, i akuzuar për shpërdorim detyre, pasi nuk ndërhyri kur detektori sinjalizoi për sende të ndaluara.

“Kam qenë i sëmurë dhe e kam njoftuar kancelaren se nuk ndihesha mirë për shkak të diabetit. Një orë më pas më dhanë leje të largohem, por askush nuk më zëvendësoi,” – deklaroi ai.

Vendimi: “Arrest me burg” për të tre deri në përfundim të hetimeve

Pavarësisht pretendimeve të të arrestuarve, trupa gjyqësore vendosi që Elvis dhe Gjon Shkambi, si dhe roja Banush Koxhaj, të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve, ndërsa prokuroria vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes që tronditi opinionin publik dhe sistemin e drejtësisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit