E braktisur nga nëna, vogëlushja me epilepsi ka nevojë për ndihmën tuaj

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 09.10.2025, 14:42

Në një cep të harruar të Shkodrës, në fshatin Paçram, jeton një familje që duket sikur koha e ka lënë pas. Pesë anëtarë, tre fëmijë të vegjël dhe një baba që përpiqet të mbajë frymën gjallë në mes të varfërisë, dhimbjes dhe mungesës së çdo mbështetjeje.

Historia e tyre është tronditëse. Vajza më e madhe, vetëm 13 vjeç, prej kohësh ndodhet e paralizuar, pas një tragjedie që të ngjeth mishin. E dëmtuar në tru, ajo qëndron e shtrirë në shtrat, pa mundur të flasë, të ecë apo të jetojë si çdo fëmijë tjetër. Shkak i kësaj gjendjeje, sipas dëshmive të afërta me familjen, është nëna e saj e cila, për vite me radhë, e ka torturuar dhe e ka lënë me pasoja të parikuperueshme.

Sot, vajza është plotësisht në kujdesin e gjyshes, një grua e moshuar që punon gjithë ditën për të siguruar ushqimin e përditshëm dhe ilaçet që vajza ka nevojë t’i marrë rregullisht. Për shkak të komplikimeve shëndetësore, e mitura dërgohet në urgjencë disa herë në javë. Por transporti, medikamentet dhe kujdesi i specializuar janë luks që kjo familje nuk mund ta përballojë.

I ati, zoti Bledar Plepi, përpiqet të mbajë shtëpinë me të ardhurat e pakta nga bujqësia, ndonëse edhe ai vetë është përballur me probleme shëndetësore pas disa aksidenteve që e kanë bërë të paaftë për punë të rëndë. Ndërsa nëna e fëmijëve, prej më shumë se dy vitesh, nuk është më pjesë e jetës së tyre e shkëputur plotësisht, pa asnjë interes për fatin e vajzave që la pas.

Në atë shtëpi të vogël e të lagësht, ku muret thithin më shumë trishtim se dritë, jetojnë edhe dy vajzat e tjera të familjes, 8 dhe 3 vjeçe. Të zgjuara, të ndjeshme dhe plot dashuri për motrën e tyre të sëmurë, ato rriten mes mungesës dhe shpresës. Fjalët e tyre të pafajshme, kur flasin për motrën, të thyejnë shpirtin.

Një familje e copëtuar, e cila përpiqet të mbijetojë çdo ditë me dinjitet në një realitet të pamëshirshëm.

Një bashkëqytetare nga Lezha, që i ka njohur rastësisht përmes miqve në zonë, është përpjekur t’i ndihmojë me aq sa ka mundur, por tashmë thotë se vetë nuk ia del dot më. “Nuk po kërkoj lëmoshë,” thotë ajo, “po vetëm pak vëmendje për një vajzë që po shuhet në heshtje, për një familje që po mbytet në harresë.”

Familja e Bledar Plepit në fshatin Paçram të Shkodrës ka nevojë për ndihmë urgjente për një dorë që mund të bëjë ndryshimin midis jetës dhe dorëzimit. Çdo ndihmë, sado e vogël, mund të jetë një dritë për ta.

Adresa: Paçram, Shkodër Kontakti: +355 68 654 6682

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit