Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore më 9 nëntor në Tiranë.
Vendimi vjen vetëm disa ditë pasi presidenti Begaj shpalli zgjedhjet për Tiranën dhe 5 bashki të tjera në datën 9 nëntor. Ndërkohë ish-kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, kishte bërë ankimim në Gjykatën Kushtetuese duke kundërshtuar shkarkimin e tij nga detyra, si të padrejtë.
Gjykata Kushtetuese vendosi sot me votë unanime që çështja e Veliajt të kalojë në një sencë plenare publike më 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë Dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë”, sqarohet në njoftimin e Kushtetueses.
Ky vendim pezullon dhe zgjedhjet e parashikuara për tu mbajtur pas një muaji në Tiranë, pavarësisht se tashmë janë zyrtarizuar dhe kandidatët në garë.