Legjenda e Formula 1, Michael Schumacher, vijon të frymëzojë botën e sportit edhe sot, gati 12 vite pas aksidentit dramatik me ski që ndryshoi përgjithmonë jetën e tij. Shtatë herë kampioni i botës, tashmë 56 vjeç, raportohet se është në gjendje të komunikojë me sytë, një shenjë e fortë rezistence nga njeriu që dikur sfidonte çdo limit në pistë.
Prej dhjetorit të vitit 2013, kur u përplas në Alpet Franceze, Schumacher ka qëndruar larg çdo ekspozimi mediatik, nën kujdesin e plotë të bashkëshortes së tij besnike, Corinna Schumacher. Ajo ka krijuar rreth tij një ambient të mbrojtur, duke kufizuar vizitat vetëm për pak miq të ngushtë dhe duke ngritur një “spital” të vogël në shtëpi, ku kampioni trajtohet me kujdes të përditshëm.
Burime pranë familjes zbuluan për mediat e huaja se vetëm tre persona kanë akses për ta parë ish-pilotin, ndërsa mënyra e vetme e komunikimit të tij është përmes syve. Një dëshmi që flet më shumë se çdo fjalë për forcën dhe shpirtin luftarak të gjermanit, që dikur dominonte pistat me “Ferrarin” e tij të kuq.
Në shtator të vitit 2024, Schumacher thuhet se mori pjesë në dasmën e vajzës së tij, Gina-Maria, në një ceremoni private në Mallorca. Mediat gjermane raportuan se të ftuarit iu kërkua të dorëzonin telefonat për të mbajtur gjithçka konfidenciale një masë që u respektua plotësisht, pasi asnjë foto nuk doli në publik.
Pas aksidentit, shumica e kohës së tij është ndarë mes rezidencës në liqenin e Gjenevës dhe vilës në Mallorca, pronë që Corinna bleu për 27 milionë paund nga presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez.
Pavarësisht izolimit, emri i Michael Schumacher mbetet i gjallë në çdo garë, në çdo tifoz që kujton epokën e artë të F1. Ish-shefi i Ferrarit, Jean Todt, ka folur me emocione për miqësinë e tyre, duke e përshkruar Schumacher-in si “njeri të jashtëzakonshëm, që edhe në heshtje, flet shumë”.
Në një botë që i shuan shpejt idhujt e saj, Schumacher mbetet simboli i vërtetë i guximit dhe përjetësisë në sport një kampion që, edhe pa fjalë, vazhdon të frymëzojë.