Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për tre personat e arrestuar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja. Vendimi u mor pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, e cila argumentoi rrezikshmërinë e lartë të ngjarjes dhe rolin e secilit të përfshirë. Në burg do të qëndrojnë Elvis Shkambi, autori i dyshuar i vrasjes, xhaxhai i tij Gjon Shkambi, si dhe punonjësi i sigurisë së Gjykatës së Apelit, Banush Koxhaj.
Gjatë seancës gjyqësore të mbajtur me dyer të mbyllura, Elvis dhe Gjon Shkambi kanë kërkuar falje publike përpara familjes së gjyqtarit Kalaja, duke deklaruar se veprimet e tyre kanë qenë të nxitura nga tronditja psikologjike dhe zhgënjimi i thellë me sistemin e drejtësisë, për shkak të zvarritjes së gjatë të çështjes së pronës në Shkodër. Ndërkohë, Banush Koxhaj, roja i sigurisë së gjykatës, akuzohet për shpërdorim detyre, pasi nuk kreu kontrollin fizik ndaj të dy të afërmve dhe lejoi kalimin e tyre pa i regjistruar, edhe pse detektorët sinjalizuan praninë e metaleve.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjitha veprimet e mundshme që çuan në vrasjen tragjike të gjyqtarit Kalaja.