Elvis Shkambi, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë së Gjykatës së Apelit, Banush Koxhaj, do të dalin sot në orën 08:00 para Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, për t’u njohur me masën e sigurisë. Seanca do të zhvillohet në Dhomën Penale dhe do të mbahet me dyer të mbyllura, për shkak të natyrës së rëndë të ngjarjes.
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të tre të arrestuarit. Elvis Shkambi përballet me tre akuza të rënda, përfshirë vrasjen e funksionarit publik dhe mbajtjen pa leje të armës, ndërsa Gjon Shkambi akuzohet si nxitës në tentativën për vrasje të palëve kundërshtare në një konflikt pronësie. Organi i akuzës ka rishikuar pozicionin e tij, duke përjashtuar përfshirjen direkte në vrasjen e gjyqtarit, por thekson se ai ka qenë në dijeni të planit.
Nga ana tjetër, roja i Gjykatës së Apelit, Banush Koxhaj, akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas prokurorisë ai nuk ka ndërhyrë kur detektorët sinjalizuan praninë e metaleve në trupin e të dy të afërmve. Ai gjithashtu ka shkelur rregulloren, duke mos kryer kontroll fizik dhe mosregjistrim në protokollin e hyrjes në gjykatë.