Rubio ndërpret takimin e Trump, i dorëzon një shënim urgjent për Gazën

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.10.2025, 00:33

Një moment i pazakontë u regjistrua në Shtëpinë e Bardhë, kur Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndërpreu një takim të Presidentit Donald Trump për t’i dorëzuar një shënim që theksonte se një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Hamasit ishte “shumë afër”.

Në shënimin e shkruar në letër me stemën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, Rubio i kërkonte presidentit të miratonte menjëherë një postim në Truth Social, në mënyrë që ai të ishte i pari që do ta njoftonte publikisht marrëveshjen. “Sapo mora një shënim nga Rubio që thotë se jemi afër një marrëveshjeje në Lindjen e Mesme. Më duhet të shkoj në një takim tjetër,” deklaroi Trump përpara gazetarëve.

Sipas mediave amerikane, Rubio dhe Trump ishin në kontakt të vazhdueshëm me ekipin amerikan të negociatorëve në Egjipt, ku po zhvillohen bisedimet e treta indirekte mes Izraelit dhe Hamasit mbi një plan paqeje 20-pikësh të propozuar nga SHBA. Në këto diskutime po marrin pjesë gjithashtu Katari dhe Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, të cilët kanë raportuar “sinjale pozitive”.

Trump tha se planifikon të udhëtojë në Lindjen e Mesme drejt fundit të javës, ndoshta në Egjipt dhe ndoshta edhe në Rripin e Gazës, nëse marrëveshja përfundimtare arrihet. “Kemi një ekip të shkëlqyer atje. Negociatat po ecin mirë, dhe po, ka shumë mundësi që këtë fundjavë të kemi paqe në Lindjen e Mesme,” u shpreh ai.

Bisedimet po zhvillohen në një fazë vendimtare dhe administrata amerikane duket e përqendruar që Trump të jetë ai që do të shpallë personalisht marrëveshjen historike për ndalimin e luftës në Gaza.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit