I ra unaza në qese teksa ndihmonte klienten: Është kujtim nga im bir, ju lutem ma ktheni!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.10.2025, 21:53

Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për një rast të pazakontë, duke kërkuar ndihmën e publikut për të gjetur një kliente që pa dashje mund të ketë marrë një unazë me vlerë të madhe emocionale.

Në videon që ajo ka dërguar, shfaqet teksa sistemon produktet në qese, moment gjatë të cilit unaza i del aksidentalisht nga gishti dhe bie brenda. Sipas saj, klientja nuk e ka vënë re, ndërsa edhe ajo vetë e ka kuptuar vetëm pas pak minutash.

“Dje në mëngjes, rreth orës 8:50, një kliente erdhi në dyqan dhe bleu disa produkte. Kur i po ja vendosja në qese, më ka dalë unaza nga gishti dhe ka rënë brenda. As unë, dhe as ajo vetë nuk e vunë re. Nuk e njoh klienten, nuk kam as emër e as numër telefoni, por gjithçka është e regjistruar në kamerat e sigurisë.”

Qytetarja tregon se ka dorëzuar pamjet në polici, por njëkohësisht kërkon edhe ndihmën e qytetarëve për ta bërë apelin publik, duke besuar se klientja nuk e ka bërë me qëllim.

“Nuk dua të akuzoj askënd, jam e bindur që zonja nuk e ka vënë re. Thjesht dua ta rikthej, sepse ka vlerë shumë të madhe për mua. Është dhuratë nga djali im, që e bleu me rrogat e para të jetës.”

Përmes redaksisë sonë, ajo apelon:

“Nëse e njihni këtë zonjë, ju lutem vëreni në dijeni. Nuk dua ta vendos në siklet askënd, dua vetëm të gjej unazën që ka shumë kujtime për familjen tonë.”

Pamjet janë dorëzuar në polici dhe ngjarja po verifikohet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit