Në disa tualete publike në Kinë, qytetarët tashmë duhet të shikojnë reklama përpara se të marrin letër higjienike. Sistemi i ri, i vendosur me qëllimin për të reduktuar shpërdorimin e letrës, ka shkaktuar debat dhe reagime të ashpra në rrjete sociale.
Sipas “The Metro”, pajisjet e instaluara në tualete kërkojnë që përdoruesit të skanojnë një kod QR përmes telefonit. Pas shikimit të një reklame të shkurtër, pajisja lëshon një sasi të kufizuar letre higjienike. Kush nuk dëshiron të shohë reklamën, mund ta shmangë atë duke paguar 0.5 juanë (rreth 5 lekë).
Autoritetet thonë se kjo nismë synon të ndalojë abuzimin me letrën publike, pasi janë raportuar raste kur qytetarët merrnin sasi të mëdha për përdorim personal.
Por shumë përdorues e kanë quajtur këtë praktikë si poshtëruese, duke ngritur shqetësime për higjienën dhe aksesin. Çfarë ndodh, pyesin ata, nëse dikush nuk ka internet, bateri në telefon apo para të gatshme?
Ndërsa zyrtarët këmbëngulin se sistemi po funksionon, shumica e qytetarëve kanë zgjedhur zgjidhjen më të thjeshtë: të mbajnë me vete letrën e tyre higjienike për të shmangur reklamën dhe sikletin.