Tre ditë para përballjes së shumëpërfolur Shqipëri–Serbi, një nga figurat më të njohura të historisë moderne të futbollit shqiptar, Ismail (Ballist) Morina, ka reaguar sërish publikisht. Njeriu që më 14 tetor 2014 ngriti në qiellin e Beogradit dronin me flamurin kombëtar e simbolet shqiptare, ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj futbollistëve të kombëtares kuqezi, duke i ftuar që të mos bëhen “pjesë e një maskarade të paracaktuar”.
Në një postim në rrjetet sociale, Morina i është drejtuar kapitenit Berat Gjimshiti dhe gjithë skuadrës, duke u kërkuar që të ruajnë profesionalizmin dhe dinjitetin në fushë. Ai aludon se ndeshja e famshme e vitit 2015 në “Elbasan Arena” nuk ishte një sfidë e pastër sportive, por “një lojë e vendosur më parë”, ndërsa shkon edhe më tej duke përmendur “aktorë të huaj” që sipas tij, po ndikojnë në rezultatin e përballjes së së shtunës.
“Në 8 tetor ndeshja Shqipëri–Serbi ishte e vendosur me VKM. Edhe atëherë Ballisti ishte ‘neutralizuar’ për çështje mbarëvajtjeje, një show 2 lekësh i autoriteteve. Edhe këtë herë, dordolecët ndërkombëtarë në Tiranë e Beograd po vendosin jo vetëm rezultatin, por edhe mënyrën si duhet të rrjedhë loja”, shkruan Morina.
Ai shkon më tej me tone të forta, duke akuzuar se “sporti është kthyer në një teatër kukullash”, ku pas skenës “fshihen interesa dhe pazare”, ndërsa dashuria e tifozëve për ngjyrat kuqezi, sipas tij, po keqpërdoret.
Morina ka edhe një mesazh të prerë për lojtarët e Kombëtares:
“Mos u bëni pjesë e kësaj poshtërsie. Ju mbani mbi supe një fanelë që nuk është dosido. Në dorën tuaj është të ruani integritetin si njerëz dhe profesionistë, ose ta shisni shpirtin për dordolecët e lartpërmendur. Zgjidhja është zgjedhja juaj.”
Në fund, Ballist Morina kujton edhe akuzat që mori pas ngjarjeve të Beogradit, duke iu përgjigjur me ironi:
“Dikur më quanin prishës të marrëdhënieve ndërshtetërore e se përzija sportin me politikën. Sot, për të njëjtët, kam vetëm një pyetje: a jemi live… ju e dini vetë!”
Ngjarja e 14 tetorit 2014 mbetet një nga episodet më të bujshme në historinë e futbollit shqiptar. Droni me flamurin kombëtar që fluturoi mbi stadiumin “Partizani” në Beograd solli ndërprerjen e ndeshjes ku futbollistët shqiptarë u dhunuan nga huliganët serb dhe një valë reagimesh ndërkombëtare. Pas vendimit të KAS-it, Shqipëria mori tri pikë në tavolinë tri pikë që i dhanë asaj kualifikimin historik në EURO 2016, duke vulosur një moment që do të mbetet përgjithmonë në memorien e tifozëve kuqezi.