“Më ka dhënë gjithçka”, Jordi Alba tërhiqet nga futbolli

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 08.10.2025, 16:08

Pas Sergio Busquets, një tjetër legjendë e Barcelonës i cili së fundmi ka luajtur për Inter Miamin ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist. Bëhet fjalë për mbrojtësin spanjoll Jordi Alba . Alba njoftoi vendimin përmes një videoje emocionale në rrjetet sociale, ku falënderoi të gjithë ata që kanë qenë pjesë e udhëtimit të tij sportiv.

“E mora këtë vendim me bindje dhe lumturi, sepse ndiej se kam ecur në këtë rrugë me gjithë pasionin që munda. Dhe tani është koha të nis një rrugë të re. Futbolli më ka dhënë gjithçka”, u shpreh Alba.

Në mesazhin e tij, 36-vjeçari falenderoi klubet ku ka luajtur gjatë karrierës: Atletico Centro Hospitalense, Cornella, Nastic de Tarragona, Valencia, Barcelona, kombëtaren spanjolle dhe së fundmi Inter Miamin. Ai shtoi: “Ju më mësuat se fanella jo vetëm ndihet, por edhe jetohet. Faleminderit babait tim, familjes sime, stafit, trajnerëve, shokëve të skuadrës dhe rivalëve të mi.”

Alba largohet nga futbolli pas një karriere të jashtëzakonshme, duke fituar gjithçka në nivel klubesh dhe kombëtare: La Liga, Champions League, Euro 2012 dhe shumë trofe të tjerë që e vendosin atë ndër mbrojtësit më të suksesshëm të dekadës së fundit.

Me tërheqjen e tij, mbyllet një tjetër kapitull i artë i “gjeneratës së Barcelonës”, skuadër që dikur dominoi futbollin botëror nën drejtimin e Pep Guardiolës dhe më pas të Luis Enriques.

Jordi Alba do të mbahet mend jo vetëm për aftësitë e tij në fushë, por edhe për pasionin dhe profesionalizmin që e shoqëroi gjatë gjithë karrierës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit