Një konflikt i çastit mes dy miqve nga Tropoja, të vendosur me banim në Babrru, përfundoi në tragjedi mbrëmjen e 2 tetorit. Arlind Demushi vrau me thikë mikun e tij të ngushtë, Hajdar Ismailgeci, i njohur ndryshe si “Bali” pas një konflikti çasti.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga mediat, viktima kishte disa kohë që qëndronte përkohësisht në banesën e autorit, në pritje për të gjetur një shtëpi me qira. Dy shokët kishin një marrëdhënie të afërt dhe çdo mbrëmje pinin kafe dhe raki së bashku në lokalet e lagjes.
Mbrëmja e ngjarjes nisi si zakonisht: Demushi dhe Ismailgeci konsumuan kafe dhe raki. Më pas, Demushi i dha viktimës 10 mijë lekë të vjetra për të blerë bukë, ndërsa vetë u nis për në shtëpi. Por kur pa se shoku po vonohej, e telefonoi për ta pyetur. Sipas deklarimeve të autorit, në telefon viktima e ka ofenduar rëndë duke i thënë: “...ik mos më çaj k…”.
I irrituar nga fjalët, Demushi i kërkoi që të takoheshin për sqarim në një lokal pranë. Të dy u ulën dhe porositën sërish raki. Pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara nga policia tregojnë momentin kur ata ndodhen në lokal, ndërsa sipas dëshmisë së autorit, viktima filloi të ngrinte zërin dhe të bërtiste.
Më pas, të dy dolën jashtë për të sqaruar konfliktin, por situata degjeneroi. Në një kënd lodrash aty pranë, sipas rrëfimit të Demushit, viktima e goditi me grushta dhe nxori një thikë për ta qëlluar. Në përleshje e sipër, Demushi thotë se ia mori thikën dhe e goditi në pjesën e ijeve.
Pas ngjarjes, ai u largua me vrap drejt Durrësit, ku u arrestua nga policia në orët e para të mëngjesit. Aktualisht, Gjykata e Tiranës ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.