Një fermer ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ një skemë të dyshimtë abuzimi me fondet publike në Malësinë e Madhe, ku sipas tij janë deklaruar në mënyrë fiktive 11,398 hektarë të mbjella me bimë eterovajore, nga një total prej 12,227 hektarësh tokë bujqësore të punueshme në këtë zonë. Kjo do të thotë se mbi 90% e tokës është deklaruar si e mbjellë vetëm me një kulturë, një shifër që sipas qytetarit nuk përputhet aspak me realitetin, ku nuk ka më shumë se 4,500 – 5,000 hektarë realisht të kultivuara.
Sipas denoncimit, në skemën e subvencioneve rezultojnë emrat e 1,290 fermerëve, shumica e të cilëve dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të padrejtë përmes aplikimeve në emër të familjarëve. Ka raste të veçanta ku një familje ka deklaruar deri në 600 hektarë, ndërkohë që 1290 nga 1400 aplikime në rang kombëtar i përkasin vetëm kësaj bashkie. Kjo ngre pikëpyetje të mëdha për rolin e zyrtarëve lokalë, përfshirë kryepleq, agronomë, administratorë dhe specialistë të Bashkisë dhe Drejtorisë së Bujqësisë, të cilët duket se kanë mbyllur sytë ose janë bërë pjesë e kësaj skeme.
Qytetari apelon për hetim të menjëhershëm nga organet e drejtësisë, pasi përfitimet nga këto mashtrime kapin shifra mbi 150 milionë lekë të vjetra për disa individë të caktuar. Ai kërkon tansparencë dhe kërkon reagim nga MBZHR, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me ministër Andis Salla. “Kjo nuk është ndihmë për bujqësinë, por një flluskë mashtrimi që i grabit fondet fermerëve të ndershëm. Kërkojmë transparencë dhe ndëshkim për të gjithë përgjegjësit”, mbyllet denoncimi i qytetarit për JOQ.
Denoncimi i qytetarit për JOQ:
Malesia e Madhe – Rekord apo Abuzim me Sipërfaqet e Mbjella? Viti bujqësor 2024-2025 është shoqëruar me një “rekord” të pazakontë në Malësinë e Madhe: 11,398 hektarë të mbjella me bimë eterovajore, të deklaruara nga 1,290 fermerë, të cilët kanë përfituar apo janë miratuar për subvencione nga qeveria. Në total, Malësia e Madhe ka 12,227 hektarë tokë bujqësore të evidentuar si e punueshme – çka do të thotë se mbi 90% e tokës është deklaruar si e mbjellë vetëm me një kulturë: bimët eterovajore. Dhe kjo vetëm këtë vit. Në të vërtetë, burime të fushës bujqësore konfirmojnë se Malësia e Madhe nuk ka më shumë se 4,500 – 5,000 hektarë realisht të kultivuara me bimë eterovajore. Diferenca është e frikshme dhe krijon hije të rënda dyshimi për abuzime masive me fondet publike. Janë regjistruar raste ku një familje rezulton me 600 ha, ose fermerë me mbi 300 ha, duke aplikuar në emër të gjithë anëtarëve të familjes. Mjafton të përmendim se 1290 nga 1400 aplikime në rang vendi i takojnë Malësisë, për të kuptuar se diçka nuk shkon. Ky proces kalon përmes firmave të kryepleqve, administratorëve, agronomëve të zonës, si dhe specialistëve në Bashki dhe Drejtorinë e Bujqësisë. Pyetja që lind është: A janë të gjithë bashkëpërgjegjës për këtë skemë të dyshimtë? Kush përfiton? Janë familje të caktuara që, nëpërmjet deklarimeve fiktive, përfitojnë mbi 150 milionë lekë të vjetra në formën e subvencioneve. Ky nuk është më gabim teknik apo tolerim, por skemë e organizuar, e cila kërkon verifikim urgjent nga institucionet qendrore dhe organet e hetimit. Malësia e Madhe ka nevojë për zhvillim të qëndrueshëm dhe ndihmë të drejtë për fermerët e vërtetë – jo për mbushjen e xhepave të atyre që përdorin mashtrimin si mjet fitimi. Transparenca dhe ndëshkimi i abuzuesve është domosdoshmëri.
