Çmimet e konsumit për mallrat dhe shërbimet në Shqipëri vijuan rritjen gjatë muajit shtator, duke prekur një inflacion vjetor prej 2.4%, sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Ky nivel paraqet një përshpejtim të lehtë në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur inflacioni ishte 1.9%, dhe një rritje mujore prej 0.7% krahasuar me gushtin.
Sipas INSTAT, ndikimin më të madh në inflacionin vjetor e ka pasur grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, me një kontribut prej +0.83 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0.63 pikë përqindje, me rritje të veçantë në çmimet e vajrave dhe yndyrnave, që u rritën me 5.9%.
Grupet e tjera që ndikuan në rritjen e inflacionit ishin mobiljet dhe pajisjet shtëpiake, pijet alkoolike dhe duhani, si dhe shërbimet e hoteleve dhe restoranteve. Ndërkohë, transporti ishte i vetmi grup që shënoi ulje çmimesh me -0.2%, për shkak të uljes së çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.
Ekspertë të ekonomisë paralajmërojnë se ndonëse inflacioni mbetet në nivele relativisht të ulëta krahasuar me vitet e kaluara, struktura e rritjes, e përqendruar te ushqimet dhe energjia, ka ndikim të drejtpërdrejtë te shtresat më të ndjeshme të popullsisë.
“Familjet me të ardhura të ulëta ndihen më të goditura nga rritjet në energji dhe ushqime. Nevojiten politika të kujdesshme fiskale dhe mbështetje për konsumatorët vulnerabël".