Duket se mes humoristëve të estradës shqiptare ka plasur zilia e kandidimit se kush do ta kapë vendin e opozitës përballë Manastirliut. Një "luftë humoristike" brenda llojit në profesion për të tentuar prekjen e postit të kryebashkiakut të Tiranës.
Aktori i humorit Julian Deda ka shpërthyer ndaj PD-së në një revoltë pas vendimit të Berishës për të kandiduar kolegun e tij, aktorin e humorit, Florjan Binajn, si kandidat për Bashkinë e Tiranës.
“Thyerje tabush në PD, e cila ka vendosur të mbështesë një aktor humori në garën për bashkinë e Tiranës. Sot po bëhet fakt, diçka që para dy vitesh (në primaret e 2023) ishte e tmerrshme të ndodhte, pikërisht kandidimi i një aktori humori për kryetar bashkie.
Mbaj mend, kur kandidova në primare, një funksionar i lartë, adult dhe injorant aty, më tha: ‘nuk do shkojmë në bashki për gallatë’. Ndërsa sot, ky mentalitet ka ndryshuar, progres i madh, komplimente PD-së”, shkruan Deda me ironi në rrjetet sociale.
Ai shton se shpreson që "mbështetja nga PD dhe opozitës të jetë e vërtetë dhe jo ‘m’ka çu halla me la gojën’, që të mos përfundojë e djegur edhe një figurë tjetër e mirë, si shumë të tjera”.