Atentati ndaj biznesmenit italian: Shqiptari dhe polici i përfshirë në rrjetin kriminal arrestohen

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.10.2025, 11:02

Tetë persona janë arrestuar në Itali në kuadër të një operacioni të gjerë anti-krim që ka zbuluar një rrjet të ndërlikuar veprimtarish të paligjshme, që përfshin trafik droge, tentativë vrasjeje, armëmbajtje pa leje, falsifikime dhe mashtrime fiskale. Mes të ndaluarve është edhe një shtetas shqiptar, i dyshuar si autori kryesor i atentatit ndaj biznesmenit Angelo Ferrandi, ndodhur më 1 mars 2024 në Montichiari, provinca e Brescia-s.

Sipas autoriteteve italiane, Ferrandi, pronar i kompanisë “Cavifer”, u qëllua me tetë plumba pranë ambientit të punës së tij, gjashtë prej të cilëve e goditën në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas hetimeve, sulmi lidhej me një borxh prej 500,000 eurosh dhe biznesmeni mbijetoi pas një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale.

Hetimi, i udhëhequr nga Njësia Hetimore dhe Prokuroria e Brescia-s, ka zbuluar se shqiptari i arrestuar kishte lidhje direkte me një oficer të policisë bashkiake në Desenzano del Garda, i cili rezulton të ketë qenë organizatori kryesor i një rrjeti kriminal që operonte në disa rajone të Italisë së veriut.

Ky rrjet, sipas hetuesve, kishte krijuar struktura të ndryshme për trafikimin e kokainës, si dhe për kryerjen e mashtrimeve fiskale përmes përdorimit të faturave të falsifikuara. Guardia di Finanza ka zbuluar dy skema mashtrimi që përfshijnë transaksione të rreme në vlerë mbi 450 mijë euro, të realizuara përmes kompanive fiktive të drejtuara nga persona me precedentë penalë.

Oficeri i policisë akuzohet gjithashtu se ka shërbyer si ndërmjetës në sigurimin e dokumenteve të rreme dhe përfshirjen e sipërmarrësve të tjerë në rrjetin kriminal. Ndërkohë, personat e tjerë të arrestuar përfshijnë një biznesmen nga Bergamo dhe disa shtetas marokenë, të cilët dyshohet se kanë luajtur rol aktiv në trafikimin e drogës dhe aktivitetet e tjera të paligjshme.

Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha hallkat e këtij grupi të strukturuar kriminal, që duket se kishte shtrirje dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit