Dy shtetas shqiptarë, të akuzuar për krime të rënda në Shqipëri, ndodhen ende në Mbretërinë e Bashkuar ndërsa luftojnë ekstradimin. DailyMail shkruan se Alban Gjidiaj, 28 vjeç, i akuzuar për trafik armësh nga Durrësi në Londër, u lirua me kusht pasi pagoi 5,000 paund, pavarësisht se përballet me një dënim deri në 17 vjet burg. Ai do të dalë para gjykatës më 4 dhjetor 2025, ndërsa autoritetet shqiptare kërkojnë dorëzimin e tij.
Ndërkohë, një tjetër shqiptar, Mikel Hoxha, i dënuar në mungesë për tentativë vrasjeje dhe i kërkuar ndërkombëtarisht, jetoi i lirë për pesë vite në Britani pasi hyri ilegalisht me kamion. Ai u arrestua në Cardiff në vitin 2023 dhe aktualisht ndodhet në paraburgim, teksa avokatët e tij po përpiqen të ndalojnë ekstradimin duke u mbështetur në të drejtën për jetën familjare sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare shprehin shqetësim për kërcënimin që paraqet ky rrjet kriminal, i cili dyshohet se furnizonte armë për organizatat kriminale në Britani. Vëllai i Gjidiajt, Almir Gjidiaj, i arrestuar në Kolumbi me një arsenal armësh, akuzohet si drejtuesi i logjistikës së grupit, duke përdorur kompaninë e tij në Londër si mbulim për aktivitetin kriminal.