Gjyqtari Astrit Kalaja do të përcillet sot në banesën e fundit, pas një ngjarjeje tragjike që tronditi opinionin publik dhe sistemin e drejtësisë në vend. Homazhet për nder të tij do të zhvillohen në ambientet e Pallatit të Kongreseve nga ora 09:00 deri në 11:00, ku familjarë, kolegë dhe qytetarë do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën. Pas homazheve, kortezhi mortor do të niset drejt qytetit të Shkodrës, ku gjyqtari Kalaja do të prehet përgjithmonë.
Ngjarja e rëndë ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku gjyqtari Kalaja kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkambi, në një çështje pronësie. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë drejt gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend. Policia është vënë në ndjekje të autorit, i cili u largua menjëherë pas krimit.
Përveç viktimës, në të njëjtën ngjarje mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj pala tjetër në proces të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Traumës. Vrasja e gjyqtarit Kalaja ka shkaktuar reagime të forta nga institucionet e drejtësisë dhe nga publiku, ndërsa kërkohet rritja e sigurisë për gjyqtarët dhe punonjësit e sistemit gjyqësor.