Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka lëshuar një paralajmërim të fortë, duke deklaruar se Irani po zhvillon raketa bërthamore ndërkontinentale (ICBM) që mund të “vendosin nën shënjestër qytete amerikane si New York, Boston, Washington apo Miami”.
Gjatë një interviste me gazetarin konservator Ben Shapiro, Netanyahu tha se Irani tashmë po punon për raketa me rreze veprimi 8000 kilometra, të cilat, nëse përmirësohen me 3000 kilometra të tjera, mund të arrijnë deri në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara.
“Irani mund të shantazhojë çdo qytet amerikan. Njerëzit nuk e besojnë, por ata po zhvillojnë raketa që mund të godasin SHBA-në. Ky është një rrezik shumë i madh. Nuk do të donit të ishit nën ‘armët bërthamore’ të atyre që brohorasin ‘vdekje Amerikës’,” – deklaroi Netanyahu.
Ai shtoi se Izraeli po bën “një punë të madhe” për ta mbajtur këtë rrezik larg, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ushtarak me SHBA-në. Netanyahu zbuloi se Izraeli, në partneritet me amerikanët, po zhvillon armë ofensive dhe teknologji mbrojtëse më të avancuara se çdo fuqi tjetër botërore.
“Ne kemi armë që nuk i ka asnjë superfuqi tjetër. Ato janë zhvilluar nga Izraeli dhe ndahen me SHBA-në,” – tha ai.
Sipas Netanyahut, inteligjenca izraelite ka ndihmuar edhe në parandalimin e sulmeve terroriste në mbarë botën, përfshirë plane të ISIS-it për rrëzimin e avionëve civilë.
Në të njëjtën intervistë, Netanyahu u ndal edhe tek lufta në Gaza, duke thënë se fundi i saj “po afrohet”, por nuk mund të arrihet për sa kohë Hamas mbetet në pushtet.
“Mendoj se jemi afër fundit të luftës, por ende jo atje. Dy vite më parë ndodhën mizoritë më të mëdha ndaj hebrenjve që prej Holokaustit. Sot, Izraeli ka shkatërruar boshtin iranian dhe është fuqia më e madhe në Lindjen e Mesme. Por duhet ta çojmë misionin deri në fund, çlirimin e pengjeve dhe fundin e Hamasit në Gaza,” – deklaroi Netanyahu.
Megjithatë, mediat ndërkombëtare theksojnë se shifrat e dhëna prej tij nuk janë të sakta, aktualisht në Gaza mbeten 48 pengje, ndërsa Netanyahu përmendi 46, prej të cilëve 20 thuhet se janë ende gjallë.