Vizitorët e parkut të Divjakës dhe lagunës së Karavastës po përballen çdo ditë me shërbim të dobët dhe mungesë totale përgjegjësie. Pavarësisht se shteti e nis punën në orën 08:00 të mëngjesit, punonjësit e parkut nuk shfaqen në orar, ndërsa drejtori Laurent bën sikur s’di asgjë.
Turistët që planifikojnë xhiro me varka përballen me mungesë personeli, me sjellje të papërshtatshme dhe me një nivel shërbimi që i turpëron. Vizitorët detyrohen të telefonojnë vetë, të kërkojnë me zë të lartë ndihmë, madje të presin me orë për një shërbim që duhej të ishte bazik.
Për më tepër, në park nuk jepen fatura, por vetëm bileta, duke ngritur dyshime të forta për abuzime financiare dhe mungesë transparence. Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi, por edhe vjedhje e pastër, që dëmton imazhin e turizmit dhe ekonominë vendase.
Operatorët turistikë që sjellin vizitorë në zonë shprehen të revoltuar. Ata thonë se puna e tyre për të promovuar Divjakën bie poshtë nga neglizhenca e drejtuesve të parkut. Sipas tyre, drejtori Laurent dhe vartësit e tij janë bërë sinonim i përtacisë dhe mungesës totale të llogaridhënies.
Në vend që të menaxhojë një pasuri natyrore me potencial të madh, drejtori duket se ka zgjedhur të mbyllë sytë. Ndërsa turistët largohen të zhgënjyer, Divjaka humbet çdo ditë besueshmërinë si destinacion turistik serioz.