Në prag të fillimit të vitit të ri akademik, Kosova ka shpallur një ndihmë financiare prej 100 eurosh për çdo student, si mbështetje për përballimin e shpenzimeve. Vendimi është bërë publik nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, ku paralajmëroi gjithashtu edhe mbështetje për studentët që studiojnë larg vendbanimit të tyre.
“Kjo është një mbështetje e menjëhershme për studentët dhe familjet e tyre”, u shpreh Kurti.
Ndërkohë në Shqipëri, studentët përballen me sfida të njëjta, por pa asnjë masë konkrete mbështetëse nga qeveria. Kostoja e jetesës, tarifat universitare, qiratë e larta dhe mungesa e ndihmave financiare i bëjnë studimet një barrë të rëndë për shumicën e të rinjve.
I vetmi lehtësim i shumëpërfolur e reklamuar në Tiranë, është aboneja falas për transportin urban, por kjo shpesh rezulton e pavlefshme për disa linja që operojnë në kryeqytet.
Përveç mungesës së mbështetjes financiare, studentët shqiptarë janë përballur këtë vit akademik edhe me probleme serioze në ndarjen e konvikteve. Pak javë më parë, të rinjtë u shtynë si rrecka nga forcat e policisë që mbanin peng konviktet, pasi vetëm "miku" dhe "lekët te xhepi" vlejnë për të siguruar një dhomë konvikti ku kushtet janë minimale.
Sipas përllogaritjeve të grupeve studentore, një student që ndjek studimet në Tiranë shpenzon mesatarisht 300–400 euro në muaj, shumë më tepër sesa bashkëmoshatarët e tyre në Prishtinë. Megjithatë, Kosova ofron mbështetje direkte, ndërsa në Shqipëri kjo mungon tërësisht.