Një ndotje e rëndë mjedisore po ndodh në lumin që kalon përmes fshatit Biçkë, në njësinë administrative Hoçisht, pjesë e Bashkisë Devoll.
Pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë një situatë alarmante, ku lumi është shndërruar në një vendgrumbullim mbetjesh urbane.
Sipas një qytetari që ka denoncuar këtë problematikë, shkaktarë të vetëm janë vetë banorët e zonës, të cilët sipas tij prej kohësh kanë hedhur mbeturina të ndryshme në shtratin e lumit, pa asnjë ndërgjegjësim për pasojat që kjo ndotje mund të sjellë për mjedisin dhe shëndetin publik.
Nga pamjet duket qartë se plastika, mbetje ushqimore dhe sende të tjera të kanë mbuluar një pjesë të madhe të lumit.
Ndonëse kjo është një nga zonat më të bukura të Devollit për nga natyra, mungesa e kontrollit dhe e ndërgjegjësimit po e kthen atë në një pikë të zezë mjedisore. Bashkia Devoll, Inspektorati i Mjedisit dhe strukturat përkatëse duhet të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar ndotjen dhe për të ndërgjegjësuar komunitetin mbi rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.
Denoncimi i qytetarit:
"Pershendetje JOQ desha te dergoj disa pamje me video nga lumi i fshatit Bicke ,Devoll ku shihet qarte masakra mjedisore qe eshte bere per shkak te papergjegjshmerise te banoreve te fshatit qe kane hedhur shume mbeturina ne lumin qe kalon afer shtepive te tyre dhe shikojeni vete cfare katastrofe eshte per te ardhur keq ne nje zone kaq te bukur te kesaj zone"