Pak çaste para se të ndodhte krimi tronditës në sallën e Gjykatës së Apelit, gjyqtari Astrit Kalaja kishte ndarë me kolegët një moment të veçantë nga jeta e tij. “Do martoj vajzën dhe jam i lumtur. Mezi e pres atë ditë”, kishte thënë ai me gëzim, pa e ditur se do të ishte hera e fundit që do të shprehte emocionet e një babai të gëzuar.
Gjatë seancës, ndërsa po ngrihej për të dhënë vendimin për një çështje pronësie në Shkodër, 30-vjeçari Elvis Shkambi nxori armën dhe qëlloi tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e lënë të plagosur për vdekje. Kalaja humbi jetën rrugës për në spital, ndërsa nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë.
Ngjarja nxori në pah një dështim të rëndë të sistemit të sigurisë në gjykatë. Autori kishte hyrë i armatosur në sallë, pavarësisht se detektori kishte dhënë sinjal. Në pranga përfunduan autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi, i dyshuar për bashkëpunim, dhe roja i sigurisë Banush Koxhaj, i cili lejoi hyrjen e tij në ambientet e gjykatës.