Një avokate nga Lushnja, Solvega Topulli, ishte dëshmitare e momentit tragjik ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Në një prononcim për mediat, ajo rrëfeu skenat e frikshme që përjetoi, ndërsa dënon ashpër mungesën e masave të sigurisë në gjykata.
“Frika dhe pasiguria në çastet e para prekën të pranishmit në ambientet e gjykatës kur u dëgjuan të shtënat me armë”, – tha avokatja Topulli.
Sipas saj, pas të shtënave, të pranishmit u përballën me skena të tmerrshme, ku panë trupin e gjyqtarit Kalaja të gjakosur dhe dy persona të tjerë të plagosur. Në ato momente, ata mbyllën derën e sallës së gjyqit dhe u fshehën në panik.
Avokatja e cilësoi si ngjarjen më të rëndë ndonjëherë kundër sistemit të drejtësisë, ndërsa ngriti alarmin për pasigurinë totale që mbizotëron në gjykata, jo vetëm në Tiranë por edhe në Fier, ku ajo ushtron aktivitetin e saj.
“Masat e sigurisë nuk ekzistojnë as për gjyqtarët dhe as për qytetarët. Në Gjykatën e Fierit, kërcënimi për jetën është real dhe i përhershëm”.
Avokatja Topulli denoncoi gjithashtu kushtet e rënda në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier, ku mungesa e ambienteve të veçanta çon në situata të rrezikshme: të arrestuar, avokatë, prokurorë, gjyqtarë dhe palë të kundërta detyrohen të presin në të njëjtin ambient të ngushtë për orë të tëra, në mungesë të plotë sigurie.
Topulli i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme të marrin masa urgjente për garantimin e sigurisë në gjykata, për të shmangur tragjedi të tjera të ngjashme me atë të 6 tetorit në Tiranë.