Gazeta prestigjioze kolumbiane EL Tiempo ka zbardhur detaje të reja tronditëse mbi vrasjen mafioze të shqiptarit Artur Tushi, i njohur me nofkën “Qoti”, i cili u ekzekutua me 11 plumba pranë qendrës tregtare Santa Fe në Medellin. Tushi, 44 vjeç, me origjinë nga fshati Raboshtë i Lezhës, rezulton të ketë qenë nën hetim në disa shtete, përfshirë Spanjën, Italinë dhe Ekuadorin – vendin e pasaportës që mbante kur u vra. Edhe pse nuk kishte precedent penal në Shqipëri, Tushi ishte i përfshirë në aktivitete të dyshimta ndërkombëtare dhe kishte qenë i rrëmbyer në vitin 2017, ku iu vodhën 200 mijë lekë.
Sipas hetimeve të koordinuara përmes Interpol-it, emri i Tushit figuron në disa dosje penale jashtë vendit për vepra si dhunë fizike dhe posedim droge. Vrasja e tij dyshohet se lidhet me përplasje kriminale ndërkombëtare dhe u ekzekutua nga një vrasës me pagesë, një 35-vjeçar venezuelian me precedentë penalë për lëndime personale dhe trafik droge. Autori përdori një motoçikletë për t’u larguar nga vendi i krimit, por u arrestua disa orë më vonë në komunën Bello, pas një ndjekjeje të koordinuar me anë të kamerave të sigurisë.
Burime të afërta me hetimin kanë konfirmuar për EL Tiempo se pagesa për vrasësin është bërë në dollarë, një detaj që i shton më shumë peshë pistës së përfshirjes së rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të drogës në këtë atentat të bujshëm. Vrasja në një nga zonat më të frekuentuara të Medellinit ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje praninë e krimit të organizuar europian në Amerikën Latine. Autoritetet kolumbiane po punojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të zbardhur lidhjet e plota të Tushit me këto struktura.