Tragjedia e sotme e vulosur me vdekjen e gjyqtarit Astrit Kalaja është pasuar nga denoncime të vazhdueshme të autorit Gjon Shkambi në media...
Ky i fundit kishte denoncuar në emisionet investigative që në vitin 2020 se kishte përjetuar një kalvar të vërtetë gjyqësor për pronën e tij, një ndërtesë me truall, që pretendonte se prej vitesh i ishte uzurpuar.
Ai deklaronte se edhe pse kishte fituar në shkallën e parë të gjyqit, Gjykata e Apelit ia kishte kthyer çështjen për rigjykim. Arsyeja? Sepse në dosje “në mënyrë magjike” ishin zhdukur dy procesverbale dhe akti i ekspertimit.
Në vend që drejtësia të bënte punën e saj, dokumentet ishin “zhdukur” dhe procesi ishte kthyer në një maratonë burokratike pa fund.
Në vitin 2020, Gjoni u shpreh i dëshpëruar:
“Kam 4 vjet që sorrollatem. Më kanë vjedhur edhe dokumentet brenda në gjykatë!”
Ndërkohë, pala tjetër, ishte armatosur me dokumente presupozohet të falsifikuara, dhe vazhdonte ende të qëndronte në ndërtesën e tij, ndërsa Prokuroria e Shkodrës prej 5 vitesh nuk kishte arritur në asnjë përfundim.
Prokurori i çështjes në atë kohë, E.L, kishte deklaruar se i ishte caktuar një ekspert dhe ishte bërë një akt ekspertimi, por çështja kishte ngecur sërish, pasi eksperti ishte bërë… drejtor!
Një histori e pabesueshme kjo e Shkambit, ku drejtësia shqiptare arrin të humbasë dokumentet e një çështjeje të fituar, ndërsa qytetari endej nëpër korridoret e gjykatave prej më shumë se katër vitesh në kërkim të asaj që ligji ia kishte njohur, por sistemi ia kishte “zhdukur”.