Elvis Shkambi, 30-vjeçari që vrau gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja brenda në sallën e gjyqit, ka pranuar autorësinë e krimit në dëshminë e dhënë në Komisariatin nr. 1 në Tiranë.
Sipas burimeve zyrtare, Shkambi ka deklaruar se motivi i sulmit ekstrem ishte një proces gjyqësor për pronën, në të cilin ai ndiente se po humbiste të drejtën e tij.
“E qëllova sepse po humbisja një gjyq. Isha korrekt me letrat e mia,” – ka thënë ai përpara oficerëve të policisë gjyqësore.
Ngjarja tronditëse ndodhi në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri gjatë seancës gjyqësore. Autori ka hyrë i armatosur në sallë dhe ka hapur zjarr ndaj gjyqtarit dhe dy personave të tjerë, të cilët janë identifikuar si Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir.
Të plagosurit u transportuan menjëherë drejt Spitalit të Traumës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndaj Elvis Shkambit janë ngritur akuzat për vrasje me paramendim, vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Prokuroria e Tiranës po heton gjithashtu mbi mënyrën se si autori ka arritur të hyjë i armatosur në një institucion të sigurisë së lartë si Gjykata e Apelit, pavarësisht kontrolleve me detektorë metalikë në hyrje.
Çështja e pronës, sipas të dhënave paraprake, ka qenë objekt i një konflikti të hershëm mes familjes Shkambi dhe palës tjetër, ku procesi gjyqësor ishte ende në zhvillim.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe përgjegjësitë e mundshme të institucioneve për ngjarjen e rëndë që tronditi drejtësinë shqiptare.