Gjyqtari vritet për një pronë, zbardhet ngjarja e rëndë brenda Gjykatës së Apelit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.10.2025, 17:07

Vrasja tronditëse e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, ka marrë një kthesë të rëndësishme pasi autori i dyshuar, Ervis Shkëmbi, ka pranuar përpara hetuesve se e kreu krimin për shkak të një çështjeje pronësie që po humbiste në gjykatë.

Ngjarja ndodhi pasditen e sotme brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku Shkëmbi, 30 vjeç, ka hyrë i armatosur në sallën e gjyqit dhe ka qëlluar mbi gjyqtarin Kalaja, i cili ishte duke shqyrtuar një proces gjyqësor për pronën e pretenduar nga familja e autorit. Gjyqtari ndërroi jetë në vend si pasojë e plagëve të marra.

Të plagosur mbetën edhe dy persona të tjerë, babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ndodhen në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas burimeve nga policia, autori është arrestuar menjëherë në vendngjarje dhe arma e përdorur është sekuestruar. Megjithatë, mbetet e paqartë sesi 30-vjeçari ka mundur të hyjë i armatosur në një institucion të sigurisë së lartë, ku në hyrje ndodhen detektorë metalikë dhe kontrolle sigurie.

Sipas dëshmive të mëparshme publike, konflikti për pronën mes familjes Shkëmbi dhe palës tjetër kishte nisur vite më parë, në zonën e Shkodrës. Babai i autorit, Gjon Shkëmbi pretendonte se prona i ishte uzurpuar, dhe rasti kishte kaluar në disa shkallë të sistemit gjyqësor. Në gjykatën e Shkallës së Parë, familja Shkëmbi kishte fituar, por Gjykata e Apelit, ku procesi po shqyrtohej sërish nga Astrit Kalaja, e kishte kthyer çështjen për rigjykim, për shkak të mungesës së disa dokumenteve në dosje.

Ervis Shkëmbi e kishte denoncuar më parë rastin edhe në një emision investigativ, duke akuzuar për zvarritje dhe manipulime nga pala tjetër. Gjyqi i së hënës besohet të ketë qenë vendimtar për çështjen, çka sipas autoriteteve mund të ketë shërbyer si motiv për aktin ekstrem të dhunës.

Prokuroria ka nisur një hetim të thelluar për ngjarjen, përfshirë verifikimin e masave të sigurisë në gjykatë, si dhe rolin e personave të tjerë të pranishëm në sallë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit