Ngjarja tronditëse e ndodhur këtë të hënë në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku u ekzekutua me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja, ka lënë të plagosur edhe dy persona të tjerë: Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir.
Sipas burimeve zyrtare, të dy ndodhen në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën, duke u trajtuar nën kujdesin e mjekëve. Plagosja e tyre ndodhi gjatë të shtënave brenda sallës së gjyqit, ku autori Ervis Shkëmbi, që kishte hyrë i armatosur, hapi zjarr mbi gjyqtarin dhe personat e tjerë të pranishëm.
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën në vend, pasi u qëllua në kraharor dhe mbërriti pa shenja jete në spital.
Autori u neutralizua dhe u arrestua menjëherë nga forcat e sigurisë, ndërsa rrethanat e ngjarjes dhe motivet e krimit janë ende në hetim. Dyshohet se ngjarja ka lidhje me një çështje pronësie që gjyqtari Kalaja po shqyrtonte, ku përfshihej edhe Shkëmbi dhe pala tjetër nga familja Kurtaj.
Ngjarja ka ngritur alarmin për masat e sigurisë në institucionet gjyqësore, pasi ende mbetet e paqartë sesi autori ka hyrë në gjykatë i armatosur, përkundër kontrolleve me detektorë metalikë.
Hetimet po vijojnë nga prokuroria dhe forcat hetimore.