Prej më shumë se një muaji, banorët e lagjes nr. 5 pranë Qendrës Kristal, tek pallatet “Dola” në Tiranë, po përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Sipas tyre, në depozitat e pallateve po vjen shumë pak ujë, çka e ka bërë të pamundur furnizimin normal për familjet që jetojnë aty. Situata është kthyer në shqetësim serioz sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.
Banorët thonë për JOQ Albania se e kanë ngritur vazhdimisht këtë problem tek ujësjellësi i Skerdi Drenova, por në vend që të marrin një zgjidhje, janë përballur me sorollatje dhe justifikime. Ata e konsiderojnë këtë situatë të papranueshme për një qytet si Tirana, ku furnizimi me ujë duhet të jetë i garantuar.
Qytetarët i bëjnë apel institucioneve përgjegjëse që të marrin masa sa më parë për normalizimin e furnizimit me ujë, duke theksuar se po vuajnë prej javësh pa asnjë zgjidhje konkrete. Ata shprehen me besim se publikimi i këtij problemi do të çojë në ndërhyrjen e autoriteteve për rikthimin e ujit në depozitat e pallatit.
“Përshëndetje. Jam një banore e lagjes nr. 5 te Qendra Kristal tek pallatet Dola. Duke qenë që kemi një muaj po vuajmë për ujë sepse na vjen shumë pak ujë në depozitën e pallatit. Kemi kontaktuar me ujësjellësin dhe po na sorollatin dhe justifikohen pa arsye. Nuk mundemi më dhe nuk gjejmë zgjidhje askund. Duke pasur besim tek ju sepse jeni faqja më e mirë për zgjidhjen e problemeve të popullit ju lutemi ta publikoni anonim ankesën. Kemi fëmijë dhe pleq po vuajmë për ujë në mes të Tiranës. Kam besim se po u bë publike nga ju do gjejmë zgjidhje”, shkruan qytetarja për JOQ Albania.
