Një qytetare ka denoncuar për JOQ një situatë absurde që i ka ndodhur në qendrën shëndetësore nr.2 në Tiranë. Ajo tregon se kishte shkuar për të kryer një analizë gjaku me rekomandim nga mjeku i lagjes, por u përball me refuzim, pasi sistemi i qendrës e nxirrte si të pasiguruar, pavarësisht se prej tre vitesh është në marrëdhënie pune pa ndërprerje. Sipas saj, punonjëset i kërkuan të paguante 1000 lekë për analizën, edhe pse u tregoi se sigurimet i paguan rregullisht çdo muaj.
Qytetarja shprehet se kjo është një padrejtësi që i bëhet qytetarëve, të cilët detyrohen të paguajnë nga xhepi, edhe pse janë të siguruar dhe sistemet shtetërore duhet ta pasqyrojnë automatikisht këtë. Ajo tregon se iu desh të shkonte te mjekja e lagjes për të vërtetuar se sigurimi i saj ishte aktiv deri në tetor 2026 dhe se problemi ndodhej te sistemi i qendrës nr.2. Sipas saj, kjo tregon mungesë koordinimi midis institucioneve shëndetësore.
Ajo apelon që qytetarët të mos mbahen peng nga probleme teknike apo mungesë komunikimi ndërinstitucional. “Mjekët duhet të flasin me njëri-tjetrin, jo të merremi ne me çdo gjë, kur të gjitha të dhënat janë në sistem”, shkruan qytetarja, duke kërkuar që rastet e tilla të mos përsëriten. Ajo ka vënë në dispozicion edhe dokumente që vërtetojnë kontributet e saj shëndetësore, por kërkon që për çështje konfidencialiteti të mos bëhen publike emrat dhe të dhënat personale.
"Përshëndetje JOQ, sot më ka ndodhur një situatë e pazakontë në qendrën shëndetësore nr. 2. Vajta për të bërë një analizë gjaku me rekomandim nga mjeku i lagjes dhe në vërtetim ata më nxorën sikur isha e pasiguruar, gjë që nuk është e vërtetë sepse unë jam në marrëdhënie pune prej 3 vitesh pa shkëputje. Dhe më e bukura është se të detyrojnë të paguash 1000 lekë analizën, duke qenë i pasiguruar, kur ndërkohë unë ja konfirmoja që unë jam në marrëdhënie pune. Nuk më duket fare normale kjo gjë që atyre nuk u punojnë sistemet, edhe ndërkohë unë sigurime shëndetësore paguaj muaj për muaj edhe analizat t’i bëj me lekë në shtet. Më poshtë do ju paraqes edhe të gjitha provat që e hedhin poshtë pretendimin e tyre, thjesht për të marrë si e si lekët e qytetarëve. Kjo është fleta nga qendra shëndetësore. Ndërkohë këto janë gjithë kontributet e mia shëndetësore. Ju lutem, për çështje konfidencialiteti, të dhënat e mia të fshihen, mos të duken dhe të gjithë emrat që janë nëpër foto, sepse është thjesht për të treguar se çfarë ndodh në Shqipëri dhe për të vërtetuar. Po madje kam shkuar edhe te mjekja ime e lagjes, sepse punonjëset e qendrës nr. 2 thoshin që unë duhej të kontaktoja mjeken time të lagjes që ajo të bënte update në sistem dhe tua konfirmonte atyre te qendra nr. 2. Ndërkohë që në sistemin e doktoreshës së lagjes dilte që isha e siguruar deri në tetor 2026, pasi shkova fizikisht dhe e pashë vetë. Tani mjekët duhet të flasin vetë midis njëra-tjetrës, jo të merremi ne si qytetarë me çdo gjë, kur gjërat janë të gjitha nëpër sisteme. Vetëm ju lutem, emra, data e gjithçka çfarë ndodhet nëpër dokumente si informacione konfidenciale të ruhen dhe të mos publikohen", shkruan qytetarja për JOQ.

