Pas atentatit me shpërthim tritoli që i mori jetën 58-vjeçarit Isuf Jaçaj mbrëmjen e së shtunës në Sarandë, Policia e Shtetit, me urdhër të Prokurorisë, bastisi ambientet e hotelit “Blue Sky”. Viktima, i njohur në qytetin bregdetar si “Bushi”, punonte prej vitesh si guidier për turistë në jug të Shqipërisë. Dyshohet se shpërthimi me telekomandë që i mori jetën ka qenë akt hakmarrjeje, ndoshta i lidhur me ngjarje më të hershme ku është përfshirë djali i tij, Klaus Jaçaj.
Në qendër të hetimeve është hoteli “Blue Sky”, në pronësi të vëllait të biznesmenit të vrarë Edmond Papa i cili është vrarë pak vite më parë në Tiranë si pasojë e një sage të përgjakshme hakmarrje mes fiseve Sadikaj dhe Papa. Hetuesit dyshojnë se "fijet" e atentatit çojnë drejt këtij hoteli. Dy nipat e Qiricit dhe persona të afërt me Ervis Lamin, bashkëpunëtor i ngushtë i Qiricit u shoqëruan dhe u morën në pyetje, por më pas u lanë të lirë.
Pista kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes, duke pasur parasysh edhe ngjarjet e mëparshme të përfshira në këtë sagë. Më 22 korrik, mjeti i Klaus Jaçajt u hodh në erë me tritol, por ai nuk ndodhej në makinë. Vetëm një muaj më parë, ai ishte arrestuar për ndihmë në arratisjen e Ramadan Zotos, i cili plagosi dy të rinj nga Kamza pas një konflikti për tokë. Dy ditë pas vrasjes së babait të tij, tragjedia duket se thellohet dhe hetimet po zgjerojnë rrethin e personave të përfshirë.