Një qytetar ka denoncuar sot një rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga një automjet i Policisë së Shtetit, në dalje të qytetit të Peshkopisë.
Sipas qytetarit, i cili ka bërë publike edhe një video të ngjarjes, policia ka kryer parakalim në një rrugë me vija të pandërprera, ku manovra të tilla janë të ndaluara me ligj për shkak të rrezikshmërisë.
Ai thotë se qytetarët ndalen e gjobiten për shkelje të tilla, ndërkohë policët duke abuzuar me detyrën dhe postin e tyre kryejnë manovra të rrezikshme.
Sipas tij shkeljet e rregullave nga efektivët nuk duhet të kalojnë pa pasoja, sikur asgjë s'ka ndodhur. Ai thotë se për të ruajtur besimin te zbatimi i ligjit dhe barazia përpara tij, edhe policët duhet të ndëshkohen njëlloj.
Qytetarët theksojnë se respektimi i kodit rrugor duhet të nisë nga vetë institucionet, të cilat kanë për detyrë garantimin e sigurisë në rrugë.