Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin e Medellín në Kolumbi ditën e djeshme, ku një 44-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Artur Tushi (Artur Tucci sipas dokumenteve ekuadroriane) nga fshati Raboshtë i Lezhës dhe i njohur me nofkën “Qoti”, është ekzekutuar në mes të ditës.
Viktima, që posedonte dokumente ekuadoriane, u qëllua për vdekje pranë qendrës tregtare “Santa Fe” në zonën e njohur El Poblado.
Autoritetet kolumbiane kanë bërë me dije se pas atentatit qëndron një vrasës me pagesë me shtetësi venezueliane, i cili tashmë është arrestuar.
Sipas dëshmive të para në vendngjarje, atentatorët që udhëtonin me motor fillimisht iu afruan Tushit, e pyetën për emrin dhe, pasi e konfirmuan identitetin e tij, e qëlluan për vdekje. “Ata kërkuan vetëm emrin, e morën konfirmimin dhe më pas e ekzekutuan”, ka rrëfyer një dëshmitar për mediat vendase.
Nga breshëria e plumbave mbeti e plagosur edhe një grua 77-vjeçare, ndërsa ende nuk dihet nëse ajo ishte në shoqërinë e viktimës apo thjesht një kalimtare e rastit.
Pista kryesore sipas policisë kolumbiane është ajo e larjeve të hesapeve mes bandave.