Një banor nga lagjja e Kasalleve në Kameras, Fushë-Krujë, ka denoncuar përmes një videoje drejtuar JOQ Albania gjendjen skandaloze të rrugës në zonën ku banon. Sipas tij, rruga figuron zyrtarisht si e asfaltuar në dokumentet e bashkisë, ndërsa në realitet ndodhet në gjendje të mjerueshme, me gropa dhe baltë. Banori shprehet i indinjuar se asfalti është çuar në një drejtim tjetër dhe jo atje ku ishte parashikuar.
Ai thekson se situata bëhet alarmante sidomos kur bie shi, pasi fëmijët nuk arrijnë dot të shkojnë në shkollë për shkak të kushteve të rrugës. “Kemi frikë se po ra një reshje shiu, ngelin fëmijët në shtëpi pa shkollë”, shkruan banori, duke kërkuar vëmendjen e autoriteteve dhe ndërhyrje të menjëhershme.
Në mesazhin e tij, banori e quan këtë situatë “turpi i Zotit” dhe thekson se është e papranueshme që në vitin 2025 një rrugë që ndodhet në mes të një zone të banuar të jetë ende në gjendje të tillë. Ai i bën thirrje Bashkisë Krujë dhe institucioneve përgjegjëse të verifikojnë realisht gjendjen në terren dhe të marrin masa.
"Përshëndetje, uroj të jeni mirë. Ju lutem, mund të ma shpërndani një video të cilën e kam bërë rrugës në lagjen e Kasalleve në Kameras, Fushë-Krujë, e cila në bashki rezulton e asfaltuar, e në të vërtetë asfaltin e kanë çuar në tjetër drejtim. Kemi frikë se po ra një reshje shiu, ngelin fëmijët në shtëpi pa shkollë. Sot, në këtë ditë, është turpi i Zotit të jetë në mes të vendit rruga copë-copë. Faleminderit! Nëse e shpërndani, ju jam mirënjohës", shkruan banori për JOQ Albania