Një tjetër ngjarje me përmasa ndërkombëtare ka tronditur Kolumbinë dhe ringjallur hijet e trafikut ndërkontinental të drogës ku përfshihen rrjete shqiptare.
Sipas mediave vendase, një shtetas shqiptar, i identifikuar si Artur Tuçi, 44 vjeç, është ekzekutuar pasditen e së dielës në qytetin Medellín, në zonën El Poblado, pranë qendrës tregtare Santa Fe. Sipas mediave lokale, viktima mbante dokumente ekuadoriane, por ishte me origjinë shqiptare.
Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës, ndërsa autori i cili udhëtonte me motor ka hapur zjarr ndaj Tuçit dhe gruas që e shoqëronte, e cila mbeti e plagosur. Vetëm pak orë më vonë, policia njoftoi arrestimin e të dyshuarit në komunën Bello, në veri të luginës së Aburrá-s, duke sekuestruar edhe armën e krimit.
“Motivet dhe rrethanat e ngjarjes janë ende në verifikim”, bënë me dije autoritetet kolumbiane, të cilat po hetojnë nëse vrasja lidhet me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe rivalitetet mes grupeve të Ballkanit në Amerikën Latine.
Emri i Artur Tuçit nuk është i panjohur për autoritetet ndërkombëtare. Sipas raportimeve të InSight Crime, rrjetet shqiptare kanë ndërtuar prej vitesh një strukturë të sofistikuaroperacionale në Amerikën e Jugut, me Ekuadorin si bazë strategjike. Këto grupe veprojnë si ndërmjetës mes prodhuesve kolumbianë të kokainës dhe tregjeve evropiane, duke blerë kilogramin e lëndës për 2–4 mijë dollarë dhe duke e rishitur deri në 40 mijë dollarë në Europë.
Edhe pse shpesh quhen “mafia shqiptare”, strukturat nuk kanë një hierarki të unifikuar; janë më shumë rrjete të decentralizuara që operojnë përmes kompanive fasadë eksporti-importi, të cilat përdoren për pastrimin e parave dhe maskimin e dërgesave në portin strategjik të Guayaquil.
Një ndër figurat që shënoi nisjen e këtij modeli ishte Dritan Gjika, i njohur si Tonny, që në vitin 2009 u vendos në Ekuador si “biznesmen” dhe ndërtoi një perandori të trafikut ndërkombëtar. Rrjeti i tij, që u lidh me sekuestrimin e mbi 9.5 tonëve kokainë, vepronte përmes kompanive fiktive, komunikimeve të koduara dhe lidhjeve të forta me zyrtarë të lartë të sigurisë ekuadoriane, përfshirë edhe ish-drejtues të policisë.
Ekspertët paralajmërojnë se prania shqiptare në rajon është shoqëruar me përplasje të përgjakshme midis grupeve rivale. Guayaquil, porta e kokainës drejt botës, është kthyer në skenën e një lufte të ftohtë mes rrjeteve ballkanike, që shpesh përfundon me atentate të tilla si ai ndaj Tuçit në Medellín.