Mallkimi i penalltive s’i ndahet Milanit, kuqezinjtë thyejnë rekordin në Europë për 11-metërshat e humbur

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 06.10.2025, 12:29

Milani duket se ka hyrë në një vorbull që përsëritet ndeshje pas ndeshjeje: penalltitë e humbura, që tashmë janë kthyer në mallkimin e ri të “Djallit”.

Në sfidën e fundit ndaj Juventusit, Christian Pulisic humbi një tjetër 11-metërsh vendimtar, duke i lënë kuqezinjtë pa dy pikë që do të kishin pasur peshë të madhe në garën për kreun. Ishte tentativa e dytë e dështuar e amerikanit me fanellën e Milanit, por vetëm një kapitull i ri në një histori që po bëhet alarmant.

Sipas të dhënave të Opta, që prej fillimit të vitit 2024 Milani ka humbur 7 nga 13 penalltitë e ekzekutuara në Serie A një përqindje dështimi prej 54%, më e larta në pesë ligat kryesore të Evropës. Madje, në kampionat kuqezinjtë kanë gabuar 5 nga 7 penalltitë e fundit, duke vendosur një rekord negativ që zgjatet që nga sezoni i kaluar, tashmë cilësuar si një vit për t’u harruar.

Pas ndeshjes, trajneri Massimiliano Allegri nuk e fshehu zhgënjimin: “I thashë të mos e gjuante pa pikë”, tha ai për gabimin e Pulisic, duke nënvizuar se ky është një aspekt që kërkon punë dhe përqendrim të vazhdueshëm në stërvitje.

Megjithatë, përtej penalltisë së humbur, Milani dha sinjale përmirësimi në lojë dhe kompaktësi, sidomos përballë një rivali si Juventusi. Një fitore do t’i kishte ngjitur më pranë objektivave të renditjes, por mungesa e qetësisë në momentet vendimtare vijon të jetë plagë e hapur.

As Rafael Leao nuk i shpëtoi kritikave, pasi humbi dy raste të pastra për gol në pjesën e dytë mundësi që mund ta kishin kthyer takimin në favor të Milanit. Për një skuadër në proces rindërtimi, këto janë “dhurata” që nuk falen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit