Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin me tritol ndaj 58-vjeçarit Isuf Jaçaj, ngjarje që tronditi qytetin bregdetar të Sarandës dy ditë më parë.
Ka dyshime se autorët mund ta kenë instaluar lëndën shpërthyese rreth dy ditë para shpërthimit. Sipas hetimeve, 500 gramë tritol është vendosur poshtë mjetit tip “Toyota”, në anën e shoferit.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 3 të Sarandës, ku viktima kishte ndaluar për të konsumuar një kafe rreth orës 22:45, pranë banesës së të birit. Pasi ka dalë nga lokali dhe është futur në automjet, ai ka ndezur makinën dhe ka lëvizur rreth 20 metra, moment në të cilin ka ndodhur shpërthimi i telekomanduar.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së zonës dhe ka nisur analizimin e pamjeve për të identifikuar autorët. Një mjet i dyshimtë është pikasur në zonë gjatë kohës së ngjarjes dhe po verifikohet nëse ka lidhje me atentatin. Hetuesit dyshojnë se autori ose autorët kanë ndjekur për ditë me radhë viktimën, duke monitoruar lëvizjet e tij, ndërkohë që Jaçaj nuk kishte masa sigurie të veçanta dhe nuk lëvizte me automjet të blinduar.
Po ashtu, hetimet paraprake sugjerojnë se shpërthimi mund të jetë kryer nga një distancë prej rreth 200 metrash, nëpërmjet një pajisjeje telekomanduese, ndërsa autorët dyshohet të jenë larguar menjëherë pas aktivizimit të lëndës plasëse.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të këtij atentati të mirëorganizuar.