Universitetet po boshatisen: Rënia e studentëve prek rëndë arsimin e lartë në Shqipëri

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.10.2025, 10:19

Universitetet publike në Shqipëri po përballen me një rënie drastike të numrit të studentëve, duke lënë auditoret gjithnjë e më të zbrazëta dhe kapacitetet universitare të papërdorura. Sipas të dhënave zyrtare nga Rektorati, në raundin e parë të regjistrimeve për vitin akademik 2025-2026 u regjistruan vetëm 16 mijë studentë, nga rreth 19 mijë një vit më parë, që përfaqëson një ulje prej 20%.

Rënia e interesit për studime në universitetet publike është pjesë e një tendence më të gjerë që ka zgjatur mbi një dekadë. Nga 117 mijë studentë në vitin 2016, numri ka zbritur në vetëm 86.900 në vitin 2024. Shkaktarët kryesorë për këtë situatë mbeten rritja e emigracionit, rënia e lindjeve, si dhe zhvendosja e preferencave të të rinjve drejt universiteteve private dhe degëve më të lidhura me tregun e punës.

Universiteti i Tiranës, institucioni më i madh në vend, ka humbur rreth 6 mijë studentë gjatë viteve të fundit, ndërsa rënia ka qenë edhe më e ndjeshme në universitete të tjera si Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti i Vlorës.

Në kontrast, institucionet private të arsimit të lartë kanë shënuar rritje: nga 24 mijë studentë në 2016 në mbi 37 mijë në vitin 2024. Kjo rritje lidhet me ofertën e tyre për programe më praktike dhe më të orientuara drejt punësimit.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një zhvendosje të preferencave nga degët tradicionale si bujqësia dhe shkencat natyrore, drejt programeve të tilla si mjekësia, teknologjia, menaxhimi dhe stomatologjia – që perceptohen si më të sigurta për punësim në tregun vendas dhe ndërkombëtar.

Viti i ri akademik nisi sot në të gjitha universitetet e vendit dhe pritet të përfundojë më 25 shtator 2026. Ndër risitë e këtij viti janë programet e reja me diplomë të dyfishtë, që synojnë të sjellin më shumë bashkëpunim ndërkombëtar dhe të rrisin atraktivitetin e universiteteve shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit