Pas një vale denoncimesh të shumta që u bënë publike në JOQ Albania, ku u akuzua për shantazh dhe presione ndaj familjeve të të sëmurëve, policia ka arrestuar shtetasen Zyrha Korra 44 vjeçe.
Denoncimet filluan më 23 shtator, kur u raportua për sulmet ndaj familjes së Rozalindës, vajzës së re që luftonte me 18 tumore. Së bashku me bashkëpunëtorët e saj, Entela Domi dhe Ira, ajo u akuzua për kërcënime, shantazhe dhe shpifje të rëndë nëpërmjet TikTok-ut ndaj familjarëve të Rozalindës, duke kërkuar para në mënyrë të padrejtë dhe duke hedhur dyshime të rënda mbi përpjekjet e solidaritetit për vajzën.
Më 1 tetor, JOQ raportoi për një rast tjetër ku “Zymja” dhe Entela Domi ushtruan presione dhe shantazhe ndaj Florjana Islamaj, një vajzë që po trajtohej në Itali për probleme me mushkëritë. Ato morën me shantazh 5700 euro dhe tentuan të vendosnin një gjobë 50 mijë euro, duke thënë me cinizëm se “20 mijë do ia japë JOQ Albania”. Një tentativë për të përdhosur emrin e JOQ Albania për përfitimet e tyre kriminale.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, redaksia e JOQ publikoi denoncimet e qytetarëve lidhur me 3 hienat e Tik Tok që përfitonin nga fatkeqësia e të tjerëve. Sot vetëm Zyrha është arrestuar, por policia duhet të vërë në pranga dhe Entela Domin dhe Irën. Rastet e denoncuara janë shembuj të qartë të keqpërdorimit të platformave sociale dhe të dhimbjes njerëzore për përfitime personale
“Shantazhonte dhe kërcënonte një shtetase në rrjetet sociale, i mori 5000 euro dhe i kërkonte edhe 50 000 euro të tjera, vihet në pranga 44-vjeçarja. Në vijim të veprimeve hetimore, lidhur me kallëzimin e një shtetaseje, e cila kishte deklaruar se i ishte marrë një shumë parash nëpërmjet shantazhit dhe kërcënimit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, bënë të mundur ndalimin e autores së dyshuar të shpallur në kërkim, shtetases: Z. H., 44 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”. Kjo shtetase dyshohet se, përmes shantazhit dhe kërcënimeve në rrjetet sociale, i kishte marrë një 39-vjeçareje nga Saranda shumën prej 5000 eurosh dhe vijonte ta kërcënonte për t’i marrë edhe 50 000 euro të tjera. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.