Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Foinikundas në Mesini, Greqi, ku dy persona humbën jetën mbrëmjen e së dielës. Viktimat janë pronari 70-vjeçar i një kampingu dhe punëtori i tij shqiptar, të cilët u qëlluan për vdekje brenda territorit të kampingut.
Sipas raportimeve të mediave greke, pronari grek u gjet pa shenja jete në recepsion, ndërsa pak metra më tej u gjet trupi i pajetë i shqiptarit, i cili dyshohet se u qëllua nga pas teksa përpiqej të largohej.
Nga hetimet paraprake, një burrë i ri kishte hyrë në kamping si 'klient i mundshëm'. Kur i është thënë se nuk kishte vende të lira, ai dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka hapur zjarr ndaj pronarit dhe punëtorit shqiptar.
Policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe po kontrollon pamjet nga kamerat e sigurisë për të identifikuar autorin. Mediat greke raportojnë gjithashtu se disa vite më parë ishte tentuar një tjetër sulm ndaj të njëjtit pronar, i cili atëherë kishte shpëtuar për mrekulli.