“Armë a ke?” Momenti kur Imer Krrashi tenton t’i ikë policisë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 05.10.2025, 17:51

Një ndjekje filmash ka ndodhur sot në kryeqytet, kur forcat “Shqiponja” u vunë në ndjekje të një automjeti të drejtuar nga 31-vjeçari Imer Krrashi, një emër që tashmë rezulton me një histori të gjatë përtej kufijve.

Sipas burimeve policore, Krrashi u ndalua për kontroll në zonën e Liqenit të Thatë, pasi kishte dyshime se ishte i armatosur. Por në momentin që efektivët e pyetën nëse mbante armë, ai shtypi gazin dhe u hodh në arrati, duke u futur me shpejtësi në drejtim të Tegut.

Në ndjekjen që pasoi, 31-vjeçari shkaktoi kaos në rrugët e Tiranës, duke përplasur plot nëntë automjete dhe një motor ku udhëtonte një polic jashtë shërbimit bashkë me bashkëshorten e tij. Të dy mbetën të plagosur rëndë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Pamjet e siguruara nga vendngjarja tregojnë momentin kur Krrashi tenton të largohet, ndërsa patrullat “Shqiponja” dhe njësi të tjera të rendit e ndjekin në rrugët e mbushura me qytetarë. Pas disa minutash tension, ai u neutralizua dhe u arrestua.

Në automjetin e tij u gjet dhe arma e zjarrit e llojit pistoletë, e cila është sekuestruar si provë materiale.

Imer Krrashi nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai përdorte edhe identitete të tjera si Imer Masha dhe Imer Uka, ndërsa rezulton i dënuar më parë në Itali për vjedhje. Madje, ishte pjesë e grupit të Edison Pulës, i njohur për një sërë grabitjesh në rajonin e Trentos.

Në shkurt të vitit 2022, Pula dhe Krrashi u arrestuan nga policia italiane si autorë të rreth 50 vjedhjeve, ndërsa një prej ngjarjeve më të bujshme lidhej me grabitjen e vilës së biznesmenit Giancarlo Miotto, më 14 nëntor 2021, në Mogliano Veneto.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit